
Mbappe i jep fitoren Real Madridit, ‘Los Blancos’ rikthehen në krye të LaLigës
Real Madrid është rikthyer në krye të LaLigës pas një fitoreje të vështirë, por të merituar, me rezultat 1-0 ndaj Getafes, në ndeshjen e zhvilluar në “Estadio Coliseum”.
Heroi i mbrëmjes, si shumë herë këtë sezon, ishte Kylian Mbappe, i cili shënoi golin vendimtar në minutat e fundit të takimit.
Skuadra e Xabi Alonsos kishte dominuar posedimin gjatë pjesës së parë, por u përball me një Getafe kompakte dhe të disiplinuar, që e kufizoi hapësirën e yjeve madrilenë. Mbappe dhe Rodrygo patën disa tentativa të rrezikshme, por portieri David Soria reagoi mjaft mirë për të mbajtur rezultatin e bardhë.
Në pjesën e dytë, Vinicius Junior u aktivizua për të sjellë më shumë gjallëri në ofensivë, megjithatë goli vonoi të vinte. Momenti vendimtar ndodhi në minutat e fundit, kur Allan Nyom u ndëshkua me karton të kuq pas një goditjeje ndaj Viniciust jashtë loje.
Vetëm disa çaste më vonë, Mbappe përfitoi nga rrëmuja në zonë dhe shënoi nga afër, duke i dhënë Realit avantazhin minimal 1-0.
Situata u përkeqësua edhe më tej për vendasit, pasi Alex Sancris u përjashtua me karton të dytë të verdhë, duke e lënë Getafen me nëntë lojtarë në fushë dhe pa mundësi për reagim.
Fitorja e ngjit Real Madridin në krye të tabelës, me dy pikë avantazh ndaj ndjekësve më të afërt, ndërsa Getafe mbetet në mesin e tabelës, pesë pikë larg zonës së rrezikut. /Rekordi.net

