Ehat Miftaraj i kërkon Vetëvendosjes dhe Dimal Bashës të respektojnë Aktgjykimin e Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit

Ehat Miftaraj i kërkon Vetëvendosjes dhe Dimal Bashës të respektojnë Aktgjykimin e Kushtetueses për konstituimin e Kuvendit

Juristi Ehat Miftaraj ka reaguar ndaj vonesave në konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke i drejtuar një apel të drejtpërdrejtë Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryesuesit të seancës konstituive, Dimal Basha.

Në një postim në rrjetet sociale, Miftaraj u kërkoi atyre që të mos bllokojnë procesin dhe të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit, pas polemikave që lindën rreth përfaqësimit të nënkryetarit nga komuniteti serb.

“Lexoni pikën 156 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të muajit gusht 2025. Mos boni filma, mos na dëshmoni sa jeni patriota, se kush ka qenë patriot e trim e ka treguar veten në vitet ’90. Dëshmoni bile se e doni këtë Republikë dhe i respektoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese,” ka shkruar Miftaraj.

Ai u kujtoi deputetëve të Vetëvendosjes se edhe neni 12 i Rregullores së Kuvendit është miratuar me votat e tyre, prandaj nuk ka asnjë arsye për vonesa të reja.

“Edhe këtë çështje doni me sjellë punën me dergu në Kushtetuese dhe me vonu konstituimin edhe disa javë a muaj a? Mosni, se boll e keni vonu konstituimin. Çka është tepër, është tepër,” përfundoi Miftaraj.

Ky reagim i tij vjen në një kohë kur procesi i konstituimit të Kuvendit po shoqërohet me tensione politike dhe përplasje mes partive lidhur me pozitën e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Share This