
Egnatia dhe Lillestromi pa gola, kualifikimi vendoset në Norvegji
Egnatia nuk ka mundur të marrë avantazhin në ndeshjen e parë të ‘play-off’-it të Ligës së Evropës, duke barazuar 0-0 me Lillestromin në Rrogozhinë.
Në një stadium të mbushur plot, të dyja skuadrat patën rastet e tyre, por asnjëra nuk arriti ta dërgojë topin në rrjetë.
Lillestrom e nisi më mirë takimin dhe shënoi që në minutat e para me Gabrielsen. Megjithatë, pas ndërhyrjes së VAR-it, goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Norvegjezët vazhduan të jenë më kërkues në fazën e parë të ndeshjes, duke krijuar vështirësi për kampionët e Shqipërisë. Egnatia gradualisht e rriti ritmin dhe filloi të afrohej më shpesh pranë portës kundërshtare.
Adjesa dhe Albanese provuan të gjenin golin, por pa sukses, ndërsa pjesa e parë u mbyll pa gola.
Pas pushimit, Egnatia u shfaq më e rrezikshme dhe pati mundësinë më të mirë për të kaluar në avantazh.
Gruda ishte shumë pranë golit, por goditja e tij u ndal nga traversa, duke i mohuar Egnatias avantazhin.
Edhe Lillestrom pati një mundësi të mirë për të shënuar, por Va nuk arriti të përfitonte nga një gabim i Dajsinanit.
Në minutat e fundit të dyja skuadrat tentuan të gjenin golin e fitores, por mbrojtjet rezistuan dhe rezultati nuk ndryshoi.
Kështu, Egnatia dhe Lillestromi e mbyllën ndeshjen e parë me rezultat 0-0, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit, e cila do të zhvillohet pas një jave në Norvegji.
Kualifikuesi për fazën e ardhshme të Ligës së Evropës do të përcaktohet në ndeshjen e dytë.

