
Propaganda e Vuçiqit për Kosovën përdoret si mjet politik dhe diplomatik
Pretendime të pakonfirmuara për qindra incidente ndaj komunitetit serb në Kosovë po përdoren nga institucionet dhe mediet pranë pushtetit në Serbi për ta ndërtuar një narrativë se serbët në Kosovë jetojnë nën terror.
Njohës të luftës hibride dhe të sigurisë thonë se përmes statistikave të pakonfirmuara, titujve alarmues dhe përsëritjes së tyre në medie, Beogradi synon ta paraqesë këtë narrativë si fakt dhe ta përdorë atë edhe në betejën diplomatike kundër Kosovës.
E ashtuquajturës Zyrë Ndërlidhëse për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka faqe të saj. E gjithë ajo që publikohet në faqen e saj është propagandë dhe deformim i asaj se çfarë në të vërtet ndodh në Kosovë, në veçanti në veri të Republikës.
Kjo zyrë e udhëhequr nga Petar Petkoviq mbledh të gjitha incidentet, të propaganduara dhe të sajuara kinse ndaj komunitetit serb në Kosovë dhe pastaj u dërgohen mediave pro pushtetit dhe të financuara nga Aleksandër Vuçiq.
Në këtë mënyrë, pushteti në Serbi krijon propagandë me numrat e pretenduar të incidenteve që ndërlidhen kinse me komunitetin serb në Kosovë. Mbi këto të dhëna ndërtohet më pas një narrativë politike e mediatike.
Mediat pranë pushtetit në Serbi i mbledhin këto raste në shifra të mëdha dhe i paraqesin si dëshmi të një “terrori” sistematik ndaj serbëve në Kosovë.
Një prej shembujve të fundit është një artikull i një mediumi serb, që titullohet në mënyrë propaganduese “Një kronologji e tmerrshme e terrorit të Kurtit”, duke pretenduar për mbi 800 incidente në pesë vjet.
Ata që merren me luftën hibride dhe verifikimin e lajmeve të rreme thonë se kjo është mënyra e pushtetit të Vuçiqit, që synon që përmes statistikave të sajuara dhe titujve propagandistikë ta paraqesë Kosovën si një vend ku serbët jetojnë nën “terror”, duke e përdorur këtë narrativë edhe në betejën diplomatike kundër institucioneve të Kosovës.
“Serbia nuk ndalet me këtë propagandë kudo që i jepet mundësia, në çdo takim me ndërkombëtarë”, tha Festim Rizanaj, hibrid.info.
Njohësit e sigurisë vlerësojnë se gjuha hegjemoniste që po përdor Aleksandër Vuçiq ndaj Kosovës lidhet edhe me situatën e brendshme politike në të cilën ndodhet Serbia.
“Vuçiq duke e ditur gjendjen çfarë ka brenda shtetit të Serbisë atëherë ka kaluar në një ofensive edhe politike edhe diplomatike edhe me kërcënime direkt prej anës tij, siç ishte fjala për orientimin e rrjedhës lumit Ibër”, tha për RTK, Hysen Gecaj, njohës i sigurisë.
Njohësit thonë se bëhet fjalë për një makineri propagandistike, ku numrat dhe titujt alarmues përdoren për të krijuar një realitet të rremë për Kosovën.
Sipas tyre, pushteti i Vuçiqit synon që propagandën ta shndërrojë në fakt, për ta përdorur më pas si armë politike dhe diplomatike kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare. /RTK/

