
Dy raste armëmbajtjeje pa leje në Ferizaj, një i arrestuar
Në Ferizaj, policia ka ndërhyrë në dy raste të ndara gjatë ditës së djeshme, duke sekuestruar dy armë zjarri dhe sasi fishekësh.
Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 11:00, kur një grua ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht dhe kërcënuar nga bashkëshorti i saj 43-vjeçar. Nga i dyshuari, policia ka konfiskuar një pushkë gjysmëautomatike dhe 9 fishekë. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ai është ndaluar për 48 orë.
Ndërsa rasti i dytë është shënuar rreth orës 22:30, gjatë një ahengu familjar, kur një 61-vjeçar kishte shtënë disa herë në ajër me armë zjarri. Në këtë rast, janë sekuestruar një armë dhe 6 gëzhoja, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Sipas policisë, në të dyja rastet janë iniciuar procedura për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa në rastin e dytë edhe për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.


