FSK dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë synojnë thellimin e bashkëpunimit në edukimin ushtarak

FSK dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë synojnë thellimin e bashkëpunimit në edukimin ushtarak

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim komandantin e Akademisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë, gjeneralmajor Ferdinant Dimo, me të cilin ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit në fushën e edukimit dhe trajnimit ushtarak.

Sipas njoftimit të FSK-së, në këtë takim u trajtuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit institucional, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e përgatitjes ushtarake.

Gjenerallejtënant Jashari vlerësoi marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e deritanishëm me Forcat e Armatosura të Shqipërisë, duke nënvizuar rolin e rëndësishëm që kanë arsimimi dhe trajnimet ushtarake në ngritjen e kapaciteteve profesionale të pjesëtarëve të FSK-së.

Në fund të takimit, të dy gjeneralët shprehën gatishmërinë për të vazhduar angazhimin e përbashkët, me synimin e forcimit të mëtejmë të partneritetit dhe marrëdhënieve ndërmjet dy institucioneve ushtarake.

Share This