
Distria Krasniqi në krye të renditjes botërore
Xhudistja kosovare Distria Krasniqi është në krye të renditjes botërore në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Sipas renditjes më të fundit të publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF) dhe Unioni Evropian i Xhudos (EJU), Distria Krasniqi mban vendin e parë në botë me gjithsej 6,510 pikë.
Në fundjavë Distria Krasniqi ka dalë me kokën lart nga Grand Slami i Parisit, duke fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 52 kilogramë. Në arenën “Bercy”, para rreth pesëmbëdhjetë mijë shikuesve, xhudistja kosovare e ka mposhtur në finale spanjollen Ariane Toro Soler për vetëm njëzet e shtatë sekonda.


