
Dino Klapija, supertalenti i radhës që do të vesh fanellën dardane
Supertalenti i madh Dino Klapija (18), sulmuesi i RB Leipzigut, sipas burimeve të afërta me Federatën e Futbollit të Kosovës, ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në nivel përfaqësues.
Edhe pse ka luajtur më parë për përfaqësueset e të rinjve të Kroacisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendlindja e tij, Klapija duket se ka marrë një vendim të rëndësishëm për karrierën e tij ndërkombëtare.
“18-vjeçari i talentuar nga RB Leipzig, i cili aktualisht luan për Shtetet e Bashkuara, mund t’i bashkohet së shpejti përfaqësueses së Kosovës”, raportojnë burime pranë FFK-së.
Zgjedhje me shumë opsione
Klapija ka pasur mundësi të zgjedh: SHBA, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën, Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, falë origjinës së familjes.
Prindërit e tij janë me prejardhje nga Bosnja e Hercegovina, ndërsa në vitin 2023 ai mori shtetësinë kroate përmes gjyshes së tij nga Zadra.
Megjithatë, burime nga Prishtina pohojnë se Federata e Futbollit të Kosovës tashmë ka arritur një marrëveshje me futbollistin dhe se zyrtarizimi pritet së shpejti.
Mesazhi nga rrjetet sociale
Një sinjal që ndezi spekulimet ishte postimi i tij në Instagram, ku ai shpërndau rezultatin e fitores historike të Kosovës 1:0 ndaj Suedisë në kualifikueset për Botërorin 2026 — një gjest që shumë e panë si paralajmërim për zgjedhjen e tij.
Nga Kustošija në Leipzig për 5.2 milionë euro
Klapija aktualisht është pjesë e RB Leipzigut, pasi gjiganti gjerman e bleu nga Kustosija për 5.2 milionë euro — shumë rekord për klubin kroat.
Fillimisht ishte parashikuar që t’i bashkohej Dinamos së Zagrebit, por në këshillën e agjentit të tij, Andy Bara, zgjodhi një rrugë alternative drejt majave të futbollit europian — një vendim që tashmë po i jep fryte.
Kosova, një fuqi e re në ngritje
Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë një punë të shkëlqyer në grumbullimin e talenteve me origjinë kosovare nga e gjithë bota. Me rezultate mbresëlënëse në kualifikime dhe shanse reale për të siguruar plasmanin në play-off për Kupën e Botës 2026, kombëtarja “Dardanë” po kthehet në një histori suksesi.
Nëse ky lajm konfirmohet, Dino Klapija do të jetë përforcimi i radhës në një skuadër që çdo ditë po bëhet më e fortë dhe më konkurruese në arenën ndërkombëtare.


