
Çitaku: Qeverisja e Kurtit solli izolim, sanksione dhe ikje masive të qytetarëve
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas konferencës së tij për media të mbajtur sot.
Në një postim në profilin e saj në Facebook, Çitaku ka akuzuar Kurtin se e ka shndërruar qeverisjen në “skenë teatri”, ndërsa vendin e ka lënë në gjendje të rëndë politike dhe ekonomike.
“Konferenca e sotme për shtyp, që duhej të mbahej në selinë e Vetëvendosjes e jo në ndërtesën e Qeverisë, do të ishte material i mirë për komedi sikur Kosova të mos ishte në gjendjen e rëndë ku ndodhet sot”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka kujtuar deklaratat e Kurtit gjatë muajve të fundit se kishte “numrat” në Kuvend, ndërsa sot – siç tha ajo – ai pranoi të kundërtën.
“Për nëntë muaj me radhë, A.K. na ka thënë se i ka numrat. Sot, me nënqeshje ironike, pranoi se i paska pasur ‘verës’, me votim të fshehtë, por tani nuk i paska më”, shtoi ajo.
Deputetja e PDK-së e akuzoi Kurtin për dështime në politikën e jashtme dhe për përkeqësim të gjendjes ekonomike në vend.
“Kosova është e izoluar, nën sanksione, me ekonomi të rënduar e me çmime të papërballueshme për familjet tona. Pesë vite me pushtet absolut. Rezultatet? Izolim, varfërim, ikje masive të qytetarëve tanë”, ka shkruar Çitaku.
Ajo përmbylli reagimin me kritika të drejtpërdrejta ndaj Kurtit, duke thënë se “nuk është më i pasprovuar” dhe se “populli tashmë e di çfarë sjell qeverisja e tij”.


