
Begaj në Ulqin: Gjuha shqipe, themeli i identitetit tonë kombëtar
Presidenti Begaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të 25-të të Panairit të Librit në Ulqin, ku theksoi rëndësinë e librit dhe të gjuhës shqipe si shtylla të identitetit kombëtar. Begaj nënvizoi se libri nuk është vetëm një burim informacioni, por një mjet që zhvillon mendimin kritik, nxit dialogun dhe përgatit brezat për të ardhmen. Ai theksoi se gjuha shqipe ruhet dhe pasurohet përmes leximit, shkrimit dhe përcjelljes së saj te brezat e rinj.
“Për ne, libri ka edhe një rëndësi tjetër: ai mban gjallë dhe pasuron gjuhën, traditën, kulturën dhe identitetin tonë shqiptar. Gjuha nuk ruhet vetëm se e kemi trashëguar. Ajo ruhet kur përdoret mirë, kur shkruhet, kur lexohet dhe kur u përcillet fëmijëve. Ajo pasurohet nga autorët, përkthyesit, mësuesit, studiuesit, gazetarët dhe nga të gjithë ata që punojnë me fjalën”, tha kreu i shtetit.
Presidenti kërkoi që libri të trajtohet si një përparësi kombëtare, jo vetëm në aktivitete kulturore, por edhe përmes investimeve në biblioteka, mbështetjes së autorëve, botuesve e përkthyesve dhe afrimit të fëmijëve me leximin.
“Kujdesi për gjuhën, kulturën, arsimin dhe krijimtarinë shqiptare është një përgjegjësi e rëndësishme e shtetit shqiptar, veçanërisht ndaj brezit të ri“, deklaroi ai.
Begaj vlerësoi më tej organizatorët e panairit dhe rolin e Ulqinit si një qendër e rëndësishme e kulturës shqiptare.
“Ulqini është një qytet me histori, me kulturë dhe me një traditë të vyer mikpritjeje. Një qytet ku shqipja është gjuhë e familjes, e kujtesës dhe e krijimtarisë”, u shpreh Presidenti.
Gjatë vizitës në Ulqin, Presidenti Begaj u prit edhe nga kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu, me të cilin diskutoi mbi projektet zhvillimore dhe rëndësinë e rritjes së përfaqësimit të faktorit shqiptar në Mal të Zi. Më pas, ai zhvilloi një takim edhe me përfaqësues të faktorit politik shqiptar në Ulqin, duke rikonfirmuar mbështetjen e shtetit shqiptar për të drejtat dhe rolin e shqiptarëve në Malin e Zi. Panairi i Librit në Ulqin konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, duke mbledhur autorë, botues dhe krijues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera. /rtsh/

