
Çitaku kundër Kurtit: Ti nuk kërkon marrëveshje, kërkon nënshtrim
Pas deklaratave të kryeministrit Albin Kurti në Londër, ku ai paralajmëroi se ndoshta nuk mund ta formojë qeverinë për shkak të “atmosferës së helmuar” dhe “xhelozive e inateve”, nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër.
Çitaku, nga radhët e PDK-së, e akuzoi Kurtin se ka fyer e përbuzur të gjithë pa asnjë kod, duke përdorur misionet diplomatike të Kosovës për nevoja partiake të Vetëvendosjes.
“Ky është abuzim i skajshëm me institucionet e shtetit. Rasti i fundit në Londër tregon qartë mendësinë e një partie që e sheh shtetin si pronë të vetën. Njeriu që nuk la askënd pa fyer e përbuzur sot thotë se na qenka helmuar atmosfera dhe se ka xhelozi e inate. Jo, A.K., ti nuk kërkon marrëveshje, as kompromis. Ti kërkon nënshtrim. Por ky popull nuk është dhe nuk do të jetë kurrë popull që nënshtrohet,” shkroi Çitaku në Facebook.
Deklarata e saj pasqyron tensionet politike dhe kritikat ndaj mënyrës se si Vetëvendosje po përdor institucionet shtetërore në periudha pa qeveri legjitime.


