
Hykmete Bajrami reagon pas debatit në Debat Plus: “Nuk kam komunikuar apo kërkuar vota nga Lista Serbe”
Deputetja dhe anëtarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas diskutimeve të zhvilluara në studion e emisionit Debat Plus, duke mohuar çdo koordinim apo kërkesë votash nga zyrtarët e Listës Serbe.
Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Bajrami shkruan:
“E përsëris qartë: unë nuk jam koordinuar, nuk kam komunikuar, as kurrë s’kam kërkuar vota nga zyrtarët e Listës Serbe. Kaq e thjeshtë.
I mirëkuptoj reagimet e atyre që janë shqetësuar e sidomos të atyre që në kohë të ndryshme janë koordinuar apo u kanë shërbyer atyre që janë koordinuar.”
Ajo gjithashtu theksoi krenarinë e saj për karrierën politike 15-vjeçare, duke theksuar se të gjithë ata që synojnë ta sfidojnë, e bëjnë këtë përmes shpifjeve.
“Ndjehem krenare që pavarësisht se jam pjesë aktive e politikës që 15 vite, herë në ekzekutiv e herë në legjislativ, të gjithë ata që dojnë me më luftu detyrohen që këtë ta bëjnë përmes shpifjeve”, tha ajo.
Reagimi i Bajramit vjen në një kohë të ngarkuar politike, teksa zgjedhjet e ardhshme po afrojnë dhe çdo deklaratë e aktorëve politikë analizohen me kujdes nga publiku dhe partitë rivale.


