
Chelsea ndjek nga afër situatën e Donnarummës
Klubi anglez, Chelsea raportohet se po monitoron me vëmendje situatën e Gianluigi Donnarumma-s te Paris Saint-Germain, me kontratën e portierit italian që skadon pas më pak se një viti.
Sipas “L’Équipe”, bisedimet për rinovimin mes PSG-së dhe Donnarummës janë bllokuar, duke lënë të hapur mundësinë e largimit të portierit italian gjatë kësaj vere.
Kjo situatë ka ndezur drejtuesit e Chelsea-t, të cilët janë të gatshëm të veprojnë nëse Donnarumma vendos të largohet nga Parisi këtë verë.
Megjithatë, klubi londinez do të hyjë në garë vetëm nëse portieri e merr vetë vendimin për t’u larguar.
Chelsea, që më parë kishte shfaqur interesim për Mike Maignan të Milanit, është zhgënjyer nga ecuria e bisedimeve për portierin francez dhe tashmë e sheh Donnarummën si alternativë serioze për të forcuar portën në “Stamford Bridge”.


