
Brahim Diaz reagon pas humbjes së finales: “Kërkoj falje nga thellësia e zemrës”
Brahim Diaz ka reaguar emocionalisht një ditë pas humbjes së finales së Kupës së Afrikës, ku Maroku u mposht me rezultat 1:0 nga Senegali pas vazhdimeve.
Finalja ishte tejet e luftuar dhe mund të kishte pasur një epilog tjetër për Marokun, sidomos në minutat shtesë të kohës së rregullt, kur Brahim Diaz pati mundësinë të shënonte nga pika e bardhë.
Mesfushori i Real Madridit vendosi ta ekzekutonte penalltinë me stilin “panenka”, por tentativa e tij u ndal lehtësisht nga portieri Edouard Mendy.
Një ditë pas finales, Diaz ka reaguar përmes një mesazhi emocional, duke marrë përgjegjësinë për momentin vendimtar dhe duke kërkuar falje ndaj tifozëve marokenë.
“Shpirti më dhemb. Kam ëndërruar për këtë titull falë gjithë dashurisë që më dhatë, çdo mesazhi dhe çdo shenje mbështetjeje që më bëri të ndihesha se nuk isha vetëm. Luftova me gjithçka që kisha, mbi të gjitha me zemër. Dje dështova dhe e marr plotësisht përgjegjësinë. Kërkoj falje nga thellësia e zemrës”.
“Do të jetë e vështirë për t’u rikuperuar, sepse kjo plagë nuk shërohet lehtë… por do të përpiqem. Jo për veten time, por për të gjithë ata që besuan tek unë dhe për të gjithë ata që vuajtën bashkë me mua”.
“Do të vazhdoj të ec përpara derisa një ditë t’jua kthej gjithë këtë dashuri dhe të bëhem burim krenarie për popullin tim maroken”, ka shkruar Diaz.
Mesazhi i tij ka ngjallur reagime të shumta mbështetëse nga tifozët, të cilët e kanë inkurajuar futbollistin të ngrihet më i fortë pas këtij zhgënjimi të madh.


