
Deliu kërkon verifikim të plotë të votës pas evidentimit të mospërputhjeve
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka reaguar pas rinumërimit të votave, ku janë evidentuar mospërputhje të votave për disa kandidatë për deputetë.
Deliu ka kërkuar verifikim të plotë të procesit zgjedhor, duke theksuar se çdo tentativë për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve përbën rrezik serioz për demokracinë.
“Asgjë nuk e dëmton demokracinë më shumë sesa manipulimi i zgjedhjeve. Prandaj, verifikimi i plotë i votës dhe rinumërimi i procesit janë të domosdoshëm për të zbardhur realitetin. Çdo tentativë për të ndryshuar vullnetin qytetar duhet të trajtohet menjëherë dhe të pasohet me ndëshkim”, ka deklaruar Deliu.
Sipas saj, vetëm përmes transparencës së plotë dhe veprimeve të shpejta institucionale mund të ndalen keqpërdorimet dhe të rikthehet besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor.
Reagimi i Deliut vjen në kohën kur procesi i rinumërimit të votave ka nxitur debat publik për integritetin e zgjedhjeve dhe funksionimin e institucioneve përgjegjëse.


