“Bijtë e Adamit” në skenën e Teatrit Eksperimental

“Bijtë e Adamit” në skenën e Teatrit Eksperimental

“Kaini dhe Abeli – Të bijtë e Adamit” është shfaqja e vënë në skenë mbrëmjen e djeshme nga Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

Një nga historitë më të vjetra dhe më tronditëse të njerëzimit vjen në skenë përmes një interpretimi të fuqishëm teatral. “Kaini dhe Abeli – Të bijtë e Adamit” është një shfaqje që zhytet thellë në origjinën e dhunës njerëzore dhe në konfliktin e parë vëllazëror që ndryshoi përgjithmonë fatin e njerëzimit.

Shfaqja ngre një pyetje thelbësore: çfarë do të ndodhte nëse Kaini do të rikthehej në Tokë për t’u përballur me gjykimin? I sjellë nga Ferri për të dhënë llogari për krimin e tij, ai rrëfen historinë e dhimbshme të një familjeje ku refuzimi, xhelozia dhe plagët emocionale çuan në aktin e parë të vrasjes. Por në përpjekje për të justifikuar veprimin e tij, Kaini nuk ndalet vetëm te vetja, por akuzon gjithë njerëzimin për trashëgiminë dhe përsosjen e dhunës.

Në qendër të kësaj drame qëndron një gjyq i pamëshirshëm: ai i ndërgjegjes. Kujtimi i Abelit dhe hija e krimit e ndjekin Kainin pa pushim, duke e vendosur përballë vetes dhe të vërtetës së tij.

E frymëzuar nga universet letrare të Andrea Camilleri dhe José Saramago, kjo shfaqje vjen si një hetim i thellë filozofik dhe emocional mbi natyrën njerëzore dhe momentin kur njeriu kthehet në armik të njeriut.

Shfaqja do të vijë për publikun edhe në datat 27, 28 e 29 mars. Regjisor i saj është Rafael Hoxhaj, dramaturg Bujar Hoxhaj dhe skenografe Sofi Kara. Interpretojnë: Silvio Goskova, Jurgen Marku, Bujar Hoxhaj, Anxhela Bregasi, Fabjan Blloku, Elisa Jakimi, Ariton Pollozhani, Reina Ndreu, Maria Brokshi. /atsh/

Share This