Bedri Hamza: Zgjedhja e Presidentit kërkon konsensus të gjerë politik

Bedri Hamza: Zgjedhja e Presidentit kërkon konsensus të gjerë politik

Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se zgjedhja e Presidentit të vendit nuk është çështje e një partie të vetme politike, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur të qytetarëve.

Përmes një reagimi publik, ai bëri të ditur se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri.

“Zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë neve si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Për këtë arsye, sot iu përgjigja pozitivisht ftesës së z. Kurti për të diskutuar për zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit,” ka shkruar Hamza në Facebook.

Ai theksoi se PDK-ja, si subjekt opozitar, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pengesë e proceseve shtetërore, por njëkohësisht nuk do të mbështesë kandidatura që, sipas tij, nuk përfaqësojnë unitetin qytetar dhe frymën kushtetuese.

Hamza u bëri thirrje atyre që kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatin për President që të tregojnë reflektim dhe të ofrojnë kandidatura me mbështetje të gjerë politike, duke shmangur, siç tha ai, kalkulimet afatshkurtra partiake.

“Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë. Për ne, interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik dhe këtë standard e mbrojmë me vendosmëri,” ka përfunduar ai.

Share This