
BE kritikon tarifat prej 30% të SHBA-së
Bashkimi Evropian dhe Meksika kanë shprehur zhgënjim ndaj paralajmërimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për të vendosur tarifa prej 30% ndaj importeve të tyre duke filluar nga 1 gushti, sipas BBC.
Meksika tha se kjo ishte një “marrëveshje e padrejtë” e Trump dhe këmbënguli se sovraniteti i saj ishte i panegociueshëm.
Ndërsa shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se do të ndërmerrte “kundërmasa proporcionale” nëse do të ishte e nevojshme.
Të dy vendet thanë se do të donin të vazhdonin negociatat me SHBA-në.
Trump ka paralajmëruar se do të vendosë taksa edhe më të larta ndaj importeve nëse ndonjëri prej partnerëve tregtarë të SHBA-së vendoste të hakmerrej.
Këtë javë Trump njoftoi gjithashtu tarifa të reja ndaj mallrave nga Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili – të cilat do të zbatohen duke nisur nga muaji i ardhshëm.
“Kemi vite që diskutojmë marrëdhëniet tona tregtare me Bashkimin Evropian dhe kemi arritur në përfundimin se duhet të largohemi nga këto deficite tregtare afatgjata të mëdha dhe të vazhdueshme, të shkaktuara nga politikat tuaja tarifore dhe jo-tarifore dhe barrierat tregtare”, shkroi Trump në letrën që i dërgoi të premten presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
“Marrëdhënia jonë, për fat të keq, ka qenë larg të qenit reciproke”, thuhej në letër.
Në letrat e tij drejtuar BE-së dhe Meksikës, Trump paralajmëroi se nëse ndonjë partner tregtar do të hakmerrej me detyrime importi kundër SHBA-së, ai do të kundërpërgjigjej duke rritur tarifat me një përqindje të ngjashme mbi 30%.
Në një intervistë për “Fox News”, dje në mbrëmje, presidenti Trump tha se disa vende ishin shumë të mërzitura, por ai këmbënguli se tarifat nënkuptonin “qindra miliarda dollarë” që po grumbulloheshin.
BE-ja ka qenë një objektiv i shpeshtë i kritikave të Trump. Më 2 prill, ai propozoi një tarifë prej 20% për mallrat nga blloku, si dhe dhjetëra partnerë të tjerë tregtarë.
Uashingtoni dhe Brukseli shpresonin të arrinin një marrëveshje para afatit të 9 korrikut, por nuk ka patur njoftime për progres.
“Në vitin 2024, deficiti tregtar i SHBA-së me bllokun ishte 235,6 miliardë dollarë (202 miliardë euro (174 miliardë paund)”, sipas zyrës së përfaqësuesit të tregtisë së SHBA-së.
Von der Leyen tha se BE-ja mbetej e gatshme të vazhdonte të punonte drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht.
“Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë miratimin e kundërmasave proporcionale nëse është e nevojshme”, tha von der Leyen. /atsh/


