BBC: Çfarë ka deklaruar Trump sot për mediet: Përmbledhje e qëndrimeve kryesore

BBC: Çfarë ka deklaruar Trump sot për mediet: Përmbledhje e qëndrimeve kryesore

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka dhënë gjatë ditës së sotme, një seri intervistash për mediet ndërkombëtare, ku ka paraqitur qëndrimet e tij mbi negociatat me Iranin dhe ecurinë e mundshme drejt një marrëveshjeje, sipas BBC.

Në një prononcim për “CBS News”, partner i BBC-së në SHBA, Trump deklaroi se Irani ka “rënë dakord për gjithçka”, përfshirë edhe largimin e materialeve bërthamore nga vendi.

Ndërkohë, për agjencinë AFP, ai u shpreh se nuk ka më “pengesa” në negociatat për paqe dhe se një marrëveshje e shkruar është “shumë afër”.

Në një intervistë të veçantë për “Bloomberg”, Trump tha se Teherani ka pranuar të pezullojë programin e tij bërthamor për një kohë të pacaktuar, pa marrë fonde të ngrira nga SHBA-ja në këmbim.

Gjithashtu, sipas raportimeve të “NewsNation”, ai deklaroi se Irani ka rënë dakord të ndalojë pasurimin e uraniumit.

Duke folur për “Reuters”, presidenti amerikan u shpreh se Irani ka pranuar të lejojë hyrjen e SHBA-së në territorin e tij për të marrë uraniumin e pasuruar.

”Do të hyjmë bashkë me Iranin, në mënyrë të qetë, dhe do të nisim nxjerrjen me makineri të rënda. Më pas do ta sjellim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi ai.

Ndërkohë, për “Axios”, Trump tha se negociatorët mund të takohen sërish këtë fundjavë, për të finalizuar një marrëveshje që do t’i jepte fund konfliktit.

Media raportoi gjithashtu, duke cituar burime anonime amerikane, se Irani po kërkon lirimin e fonde të ngrira, me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, në këmbim të uraniumit të pasuruar.

I pyetur mbi këtë kërkesë, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë deklaroi për BBC-në se vetëm njoftimet zyrtare nga presidenti ose institucioni duhet të konsiderohen si fakte, duke shtuar se bisedimet me Iranin po vijojnë në mënyrë konstruktive, por nuk do të zhvillohen përmes mediave.

Nga ana tjetër, Irani nuk ka konfirmuar asnjë nga detajet e bëra publike nga Trump.

Një zyrtar i lartë iranian tha për “Reuters” se mbeten ende dallime të konsiderueshme në negociata, ndërsa një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme theksoi se uraniumi i pasuruar nuk do të transferohej jashtë vendit.

Share This