Trump reagon pas rrëzimit të dronëve në Poloni :“Ja ku jemi”

Trump reagon pas rrëzimit të dronëve në Poloni :“Ja ku jemi”

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë reagimin e tij të parë pas raportimeve për shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë rusë.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi se️ “Çfarë po ndodh me Rusinë që shkel hapësirën ajrore të Polonisë me dronë? Ja ku jemi!”

Sipas Sky News, kuptimi i deklaratës mbetet i paqartë, por pritet që presidenti të japë më shumë hollësi gjatë ditës.

Reagimi i tij vjen në një moment tensioni të shtuar në rajon, pas raportimeve për ndërhyrje ajrore që kanë alarmuar vendet anëtare të NATO-s.

Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në NATO deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë “çdo centimetër të territorit të NATO-s”.

Polonia rrëzoi këtë të mërkurë disa dronë rusë që hynë në hapësirën e saj ajrore gjatë një sulmi të Moskës ndaj Ukrainës.

Ushtria polake e konsideroi këtë një akt agresioni dhe një kërcënim real për sigurinë kombëtare. Forcat ajrore të NATO-s dhe avionë F-35 nga Holanda u angazhuan për mbrojtjen e qiellit polak.

“Avionët tanë përdorën armë kundër objekteve armiqësore,” deklaroi ministri i Mbrojtjes së Polonisë, Vladislav Koziniak-Kamiz.

Ndërsa kryeministri Donald Tusk tha se hapësira ajrore u shkel nga një numër i madh dronësh dhe se tre prej tyre ishin rrëzuar.

Reagime poashtu ka pasur edhe nga Franca, Britania e Madhe,dhe krerët e Bashkimit Europian, të cilët e cilësuan shkeljen e hapsirës ajrore të NATO-s  të papranueshme dhe paralajmëruan se siguria e aleatëve nuk do të negociohet.

Autoritetet polake i kanë bërë thirrje qytetarëve pranë kufirit të tregojnë kujdes nëse ndeshin objekte të dyshimta, ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore janë kthyer në gatishmëri të zakonshme, pavarësisht se masat e sigurisë mbeten të shtuara.

Neni 4 i Traktatit të NATO-s, i cili u lejon aleatëve të konsultohen kur dikush ndien se siguria e tij është e kërcënuar, është aktivizuar vetëm shtatë herë që nga themelimi i aleancës në vitin 1949. /rtsh/

Share This