Kurti në Barcelonë, reagon për Projektligjin e konfiskimit të pasurisë: Të miratohet sa më shpejt në lexim të dytë

Kurti në Barcelonë, reagon për Projektligjin e konfiskimit të pasurisë: Të miratohet sa më shpejt në lexim të dytë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përmes një postimi lidhur me miratimin në parim të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në reagimin e tij, Kurti ka sqaruar mungesën në seancën e sotme të Kuvendit, duke theksuar se ndodhej në një vizitë zyrtare të paracaktuar në Barcelonë, Spanjë.

Ai e ka cilësuar këtë projektligj si tejet të rëndësishëm, duke rikujtuar se ishte miratuar në mbledhjen e 7-të të Qeverisë më 30 mars, ndërsa sot ka kaluar në lexim të parë në Kuvend.

Kryeministri ka shprehur pritshmërinë që projektligji të votohet sa më shpejt edhe në lexim të dytë, në mënyrë që të mundësohet funksionalizimi i institucionit përkatës dhe nisja e zbatimit të ligjit për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Sot nuk isha në seancë të Kuvendit të Kosovës për shkak të një vizite të paracaktuar zyrtare në Barcelonë të Spanjës. Por, Kuvendi në rend dite, në lexim të parë, kishte ndër të tjera edhe një projektligj tejet të rëndësishëm, atë të Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Në mbledhjen e 7-të të Qeverisë me 30 mars e miratuam në Qeveri, sot kaloi në parim në Kuvend dhe presim që sa më parë të votohet edhe në lexim të dytë që më në fund ky ligj me institucionin përkatës të fillojë punën”, ka shkruar Kurti.

Share This