
Bayern mposht Dortmundin në klasiken gjermane, barazon rekordin historik
Bayern Munich ka triumfuar 2–1 ndaj Borussia Dortmundit në “Der Klassiker”-in e 113-të të Bundesligës, duke arritur të barazojë rekordin gjerman prej 11 fitoreve radhazi në të gjitha garat – një arritje që më parë i përkiste vetë Dortmundit.
Skuadra e Kompany e nisi ndeshjen me dominim të plotë. Joshua Kimmich testoi portierin Gregor Kobel me një goditje nga distanca, ndërsa ky i fundit bëri një pritje të dyfishtë ndaj tentimeve të Michael Olise dhe Luis Díaz. Presioni i vazhdueshëm i Bayernit u konkretizua në minutën e 22-të, kur Harry Kane shënoi me kokë pas një këndi të Kimmich, duke e çuar rezultatin në 1–0.
Ky ishte goli i 12-të sezonal për sulmuesin anglez, i cili vazhdon formën e shkëlqyer. Pjesa e parë u mbyll me dominim të plotë të bavarezëve, ndërsa në fraksionin e dytë Dortmundi u zgjuar dhe rrezikoi me Felix Nmecha dhe Karim Adeyemi, por pa sukses.
Në minutën e 80-të, Bayerni dyfishoi avantazhin pas një aksioni të ngatërruar në zonë, ku Michael Olise përfitoi nga një hezitim i mbrojtjes verdhezi dhe e shtyu topin në rrjetë për 2–0.
Dortmundi reagoi vonë, teksa Julian Brandt shkurtoi diferencën pas asistimit të Julian Ryerson, por nuk mjaftoi. Ndeshja përfundoi 2–1, duke i dhënë Bayernit fitoren dhe vendin e parë në renditje, ndërsa Dortmundi mbetet tashmë shtatë pikë prapa rivalëve të përjetshëm.
Kësisoj, Bayern Munich jo vetëm që ruan serinë më të gjatë të pamposhtur në ligat e mëdha të Europës, por gjithashtu ndërpret një seri prej tre ndeshjesh pa fitore ndaj Dortmundit, duke dëshmuar se mbetet forca kryesore e futbollit gjerman. /Rekordi.net


