
Barcelona tërhiqet nga projekti i Superligës Evropiane
Barcelona ka vendosur të largohet nga projekti i Superligës Evropiane, nismë që dikur e drejtonin së bashku me drejtuesit e Real Madridit.
Sipas mediave spanjolle, klubi katalanas është i kënaqur me ndryshimet që UEFA ka bërë në formatin e ri të Ligës së Kampionëve dhe nuk ka më interes të marrë pjesë në një garë të re.
Një nga arsyet kryesore është shpërndarja e re financiare që UEFA ka përcaktuar në Ligën e Kampionëve, e cila plotëson objektivat që Barcelona kërkonte për të stabilizuar situatën e saj financiare. Motivi kryesor për krijimin e Superligës, ose të paktën kërcënimi i saj, ishte financiar, pasi klubet më të forta evropiane synonin të krijonin një garë ekskluzive me fitime më të mëdha se ato të UEFA-s.
Vendimi i Barcelonës tregon një rikthim në marrëdhënie më të mira me UEFA-n. Presidenti i saj, Aleksander Ceferin, ishte i pranishëm në ndeshjen kundër PSG-së si i ftuar i klubit katalanas, duke reflektuar përmirësimin e bashkëpunimit midis palëve.
Barcelona, e cila ka qenë në krizë financiare që nga pandemia e COVID-19, është e detyruar të veprojë sipas rregullave të UEFA-s, të cilat ndalojnë shpenzime më të mëdha se të ardhurat. Ndërkohë, Florentino Perez, presidenti i Real Madridit, mbetet i vetëm në përpjekjet për të lansuar Superligën.
Për kujtesë, projekti i Superligës u njoftua nga klubet më të mëdha evropiane në vitin 2021, por u tërhoq shpejt, kryesisht nën presionin e tifozëve, veçanërisht atyre anglezë.

