
Sot 10 vite nga Shenjtërimi i Nënë Terezës, shqiptarja që u bë simbol i humanizmit në botë
5 Shtatori shënon Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, figurës shqiptare që ia kushtoi gjithë jetën shërbimit ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë dhe që u kthye në një prej simboleve më të njohura të humanizmit në mbarë botën.
Në këtë ditë, Kisha Katolike kremton festën liturgjike të Shën Terezës së Kalkutës, e njohur në Shqipëri dhe në botë si Nënë Tereza.
Më 4 shtator 2016, në një ceremoni madhështore në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku e shpalli Nënë Terezën shenjtore, duke e cilësuar si një figurë të mëshirës dhe dashurisë hyjnore.
Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, në një familje shqiptare. Në moshën 18-vjeçare ajo u largua nga vendlindja për t’iu bashkuar Motrave të Loretos në Irlandë. Më pas udhëtoi drejt Indisë, ku do të ndërtonte veprën e saj të jashtëzakonshme humanitare.
Në Kalkutë ajo themeloi Misionaret e Bamirësisë, duke iu përkushtuar njerëzve më të varfër, të sëmurëve dhe të braktisurve. Për dekada me radhë, puna e saj u shtri përtej Indisë dhe frymëzoi miliona njerëz në vende të ndryshme të botës.
Për veprimtarinë e saj humanitare, Nënë Tereza u nderua me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979. Ajo u lumturua nga Papa Gjon Pali II në vitin 2003 dhe u shpall shenjtore nga Papa Françesku në vitin 2016.
Lidhja e saj me Shqipërinë mbeti e fortë gjatë gjithë jetës. Nënë Tereza e vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989, pas dekadash të kaluara në shërbim të njerëzve në nevojë.
Ajo ndërroi jetë më 5 shtator 1997, në Kalkutë, por emri dhe vepra e saj vijojnë të mbeten simbol i bamirësisë, përulësisë dhe shërbimit ndaj tjetrit.
Në Shqipëri, 5 Shtatori është shpallur festë zyrtare, duke zëvendësuar 19 Shtatorin, datë që më herët shënonte Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës.
Gjatë jetës së saj, Nënë Tereza u nderua me qindra çmime dhe vlerësime ndërkombëtare për veprimtarinë e saj. Sot, në përvjetorin e shenjtërimit të saj, figura e shqiptares që zgjodhi t’ua kushtonte jetën më të pambrojturve vazhdon të përcjellë një mesazh universal për dashurinë, mëshirën dhe solidaritetin njerëzor. /rtsh/

