
Bajrami sulmon VV-në: Patriotizëm i rremë, po i luani patriotët – hipokrita
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Vetëvendosjes, duke i cilësuar ato si “patriotizëm të rremë”.
“Hajnitë, dështimet, tenderët njëburimorë, nepotizmi, kapja e institucioneve dhe lidhjet me mafinë energjetike, NUK mund t’i mbuloni me patriotizëm të rremë, as me Serbinë, as me urat që po i ndërtoni dhe as me Listën Serbe”, ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka akuzuar VV-në edhe për mosveprim ndaj Listës Serbe dhe drejtuesve të saj:
“Ju jeni të njëjtit që Radojçiqit i keni krijuar korridor dhe ka ikur në pikë të ditës, nën vëzhgimin e kamerave, dhe nuk e keni shpallur Listën Serbe organizatë terroriste as pasi ata e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë”.
Në përfundim, deputetja e LDK-së shtoi: “Sot po i luani patriotët – hipokrita!”.
Reagimi i saj erdhi pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, dhe përfaqësuesja e Listës Serbe, Gordana Llaban Zuvic, votuan pro certifikimit, ndërsa dy anëtarët e VV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, votuan kundër. Shtatë të tjerë abstenuan.
“Dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime – refuzohet certifikimi i partisë politike Lista Srpska dhe listës së kandidatëve të saj”, tha Radoniqi.


