Lista Serbe nuk certifikohet për zgjedhjet e 12 tetorit

Lista Serbe nuk certifikohet për zgjedhjet e 12 tetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, kjo parti nuk mori mbështetjen nga anëtarët e KQZ-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur sot mbledhjen e radhës për certifikimin e partive politike që kanë aplikuar për zgjedhjet e 12 tetorit. Një nga pikat më të debatueshme të rendit të ditës ishte certifikimi i partisë Lista Serbe dhe kandidatëve të saj.

Anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, ka kundërshtuar certifikimin, duke e cilësuar Listën Serbe si parti me “trashëgimi terroriste” dhe duke akuzuar disa prej kandidatëve të saj se punojnë në mënyrë subversive kundër Republikës së Kosovës.

“Ne e kemi një parti politike që ka një trashëgimi terroriste dhe një të tashme terroriste. Përveç kësaj ka elemente të tjera, persona që kanë marrë pjesë edhe në sulme terroriste edhe në sulme të ndryshme. Tash i kemi edhe veprimet e institucioneve për ndjekje penale. Në mesin e tyre kemi persona që në të vërtetë në mënyrë subversive punojnë kundër Republikës së Kosovës”, tha Kurteshi.

Derisa përfaqësuesi tjetër i kësaj partie, Uran Krasniqi, ftoi që të mos certifikohet Lista Serbe duke u thirrur edhe në nenin 14 për ndalimin e regjistrimit të partisë politike.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se kjo parti abstenon në votimin për certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të tetorit.

“Si përfaqësues i PDK abstenojmë nga votimi për certifikimin e Listës Serbe me këta kandidatë, duke marrë parasysh këto informata por edhe gjithë ato diskutime që janë bë tash e sa kohë. Është dashur që këto informata të pranohen në mënyrë institucionale. Ne si PDK abstenojmë nga certifikimi, nuk jemi për certifikim. Abstenojmë nga votimi përderisa nuk kemi veprime nga institucionet e sigurisë, të cilat na tregojnë rrugën që duhet ndiqet për këtë parti”, tha Elshani.

Në anën tjetër, Sami Hamiti, përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës në KQZ, duke komentuar diskutimet rreth Listës Serbe tha se Këshilli i Sigurisë Kombëtare është ai që duhet të mblidhet dhe ta zgjidhë këtë çështje, dhe se KQZ nuk janë ata që e shpallin dikë terrorist.

“Organet e sigurisë duhet me u marrë, me u mbledh e me thanë ky është një organizim terrorist, me i shpallë se nuk e shpallim na. Le ta kryejnë punën e vet, le të na e lehtësojnë punën ne.

Edhe anëtari i AAK-së në KQZ, Muharrem Nitaj ka deklaruar se dokumentet që posedon LVV dhe Sami Kurteshi është dashur të dërgohen në institucionet përgjegjëse”, tha Hamiti. /RTK/

Share This