Bajrami akuzon Kurtin dhe ministrat e VV-së: Janë fshehur, nuk guxojnë të ballafaqohen për mashtrimin e Mujës për rrymën

Bajrami akuzon Kurtin dhe ministrat e VV-së: Janë fshehur, nuk guxojnë të ballafaqohen për mashtrimin e Mujës për rrymën

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykemte Bajrami, ka reaguar sërish ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen e energjisë elektrike, duke i akuzuar se janë fshehur dhe nuk kanë guxim të përballen për mashtrimin e ish-deputetit të tyre, Armend Muja.

Bajrami thekson se Muja ishte në siklet sot, teksa mundohej të mbronte Qeverinë e VV-së, Vuk Hamoviqin, NOA-n dhe ashtuquajturën “mafi energjetike”.

Anëtarja e LDK-së gjithashtu ka renditur zhvillimet kryesore që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së Albin Kurtit në sektorin e rrymës, duke thënë se është tërhequr Counter Global, projekti i gazit amerikan është refuzuar, dhe nuk është shtuar asnjë MWh energji e ripërtëritshme, pasi të gjitha projektet e Ministrisë së Ekonomisë janë prej pesë vjetësh në procedura.

Gjatë kësaj periudhe, çmimi i energjisë është rritur tre herë, ndërsa për ekonomitë familjare më shumë se dyfish. Janë përjashtuar 1,300 ndërmarrje vendore nga tregu i rregulluar, duke ndodhur një liberalizim i dhunshëm i tregut; ndërmarrjeve u është thënë se nuk mund të blejnë energjinë që prodhon KEK-u, por duhet ta blejnë nga “vllau i Luan Dalipit” dhe të tjerët.

Brenda një viti, NOA ka bërë qarkullim prej 160 milionë euro, dhe ka raste që Kosova paguan deri në 800 euro për transportin e MWh. Sipas të dhënave të Doganës, ndërsa Kosova prej vitit 2015 deri në vitin 2020 ka importuar 273 milionë euro energji, gjatë qeverisjes së Albin Kurtit importi ka arritur 811 milionë euro, pavarësisht premtimit për të shkatërruar “mafinë energjetike”.

Për të gjitha këto, Bajrami shtoi se Vetëvendosje nuk ka pasur asnjë fjalë reagimi.

Share This