
AUV urdhëron tërheqjen nga tregu të 12 produkteve të Qumështores VITA
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se pas kontrolleve zyrtare dhe rezultateve laboratorike të LUVK-së ka ndërmarrë masa ndaj Qumështores VITA, duke urdhëruar tërheqjen nga tregu të 12 produkteve të konstatuara jokonforme dhe ndalimin e prodhimit të 26 produkteve të tjera jashtë fushëveprimit të aprovimit.
Sipas AUV-it, 12 produkte të paraqitura dhe tregtuara si produkte me përmbajtje shtazore janë konstatuar jokonforme për shkak të pranisë së vajit të palmës, qumështit pluhur dhe/ose niseshtes së padeklaruar.
“Për këto produkte është urdhëruar tërheqja nga tregu”, ka bërë të ditur AUV.
AUV ka theksuar se gjetja më serioze lidhet me qumështin. Sipas Agjencisë, katër mostra të katër produkteve të shitura, prezantuara dhe deklaruara si qumësht kanë rezultuar jokonforme.
AUV ka bërë të ditur se dy prej tyre kanë rezultuar me prani të vajit të palmës dhe dy me prani të qumështit pluhur, të padeklaruara për konsumatorin.
“Këto produkte kanë dalë nga i njëjti objekt dhe aktivitet i aprovuar për prodhimin dhe përpunimin e qumështit”, thuhet në njoftimin e AUV-it, raporton rtk.
Sipas AUV-it, nga produktet e qumështit të analizuara, vetëm një markë ka rezultuar pa prani të vajit të palmës dhe qumështit pluhur dhe ky produkt nuk është cilësuar jokonform.
Megjithatë, AUV ka bërë të ditur se për shkak se produkti prodhohet në të njëjtin objekt dhe në linjën e prodhimit të qumështit ku janë konstatuar mospërputhjet, ai është vendosur nën mbikëqyrje të shtuar dhe ritestim të vazhdueshëm.
AUV ka njoftuar po ashtu se gjatë kontrollit janë konstatuar 26 produkte me përmbajtje bimore të prodhuara jashtë fushëveprimit të aprovimit të operatorit.
“Për këtë aktivitet është urdhëruar ndalimi i prodhimit deri në marrjen e aprovimit përkatës nga AUV”, thuhet në njoftim.
Sipas AUV-it, raporti evidenton edhe aktivitet me bazë yndyre bimore dhe proteine qumështi, për të cilin gjatë kontrollit nuk ishte paraqitur autorizimi i posaçëm.
AUV ka bërë të ditur se masat e ndërmarra përfshijnë tërheqjen e 12 produkteve jokonforme nga tregu, mbikëqyrjen e shtuar dhe ritestimin e vazhdueshëm të linjës së qumështit, ndalimin e prodhimit të 26 produkteve jashtë aprovimit, ndalimin e paraqitjes mashtruese të produkteve dhe ndalimin e lëshimit të certifikatave veterinare deri në eliminimin e mospërputhjeve.
Ndërkohë, Qumështorja Vita, në një postim në rrjetet sociale, ka thënë se pas 36 ditësh i ka marrë zyrtarisht rezultatet e analizave nga AUV-i dhe se, sipas saj, qumështi Vita është i pastër, pa qumësht pluhur dhe pa vaj palme.
“Pas 36 ditësh, Qumështorja Vita i merr zyrtarisht rezultatet e analizave nga AUV’i. Sipas këtyre analizave del që qumështi Vita është i pastër me 100% qumësht. Nuk ka as pluhur, e as vaj palme (vajra bimore)”, thuhet në postim.

