
Atalanta-Milan, kështu mbyllet sfida e ‘nxehtë’ italiane
Atalanta regjistroi barazimin e pestë radhazi në Serie A, pasi ndau pikët me Milanin në një përballje që përfundoi 1-1 në “Gewiss Stadium”, duke ruajtur kështu ecurinë e pamposhtur të sezonit (2 fitore, 7 barazime).
Milani, që në këtë ndeshje hyri pas humbjes së kreut të renditjes fundjavën e kaluar, e nisi fuqishëm takimin dhe kaloi në avantazh që në minutën e katërt me një goditje të Samuele Ricci-t, pas një devijimi të Éderson. Megjithatë, vendasit reaguan menjëherë – Hien dhe Zappacosta patën raste të mira, ndërsa Ahanor shpërdoroi një mundësi të artë nga afër.
Goli i barazimit erdhi pas një aksioni të rrjedhshëm: Mario Paaalic dha një top të mrekullueshëm në zonë, dhe Ademola Lookman shënoi me një goditje të fortë me të majtën, duke realizuar golin e tij të parë për këtë sezon.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë rritën ritmin me hyrjen e Christopher Nkunku dhe Ruben Loftus-Cheek, që zëvendësoi të dëmtuarin Santiago Giménez. Milani ishte pranë golit të dytë, por tentativat e Fofana-s dhe Bartesaghi-t nuk gjetën rrjetën.
Në fund, asnjëra skuadër nuk arriti të gjente golin e fitores, me portierin Mike Maignan që ndali shkëlqyeshëm një goditje të Zappacosta-s.
Ky rezultat e lë Milanin të pamposhtur në nëntë ndeshje radhazi në të gjitha garat (6 fitore, 3 barazime), ndërsa trajneri i Atalantës, Ivan Jurić, vazhdon pa fitore ndaj Massimiliano Allegrit në dhjetë përballje (4 barazime, 6 humbje).
Për më tepër, La Dea ka fituar vetëm tre nga 16 ndeshjet e fundit në shtëpi – një statistikë që tregon qartë formën e skuadrës bergamaske. /Rekordi.net


