
Ambasadori britanik përshëndet marrëveshjen Kosovë–BE për zbatimin e Ligjit për të Huajt: Zgjidhje praktike për të gjitha komunitetet
Ambasadori i Mbretëria e Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Bashkimi Evropian për zbatimin e Ligjit për të Huajt, duke theksuar se ajo është në përputhje me kornizën ligjore të shtetit.
“Mbreteria e Bashkuar mirëpret marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe BE-së mbi zbatimin e Ligjit për të Huajt. Marrëveshja respekton kornizën ligjore të Kosovës, duke ofruar zgjidhje praktike për të gjitha komunitetet që të jetojnë, punojnë dhe studiojnë ligjërisht në Kosovë pa ndërprerje të shërbimeve”, ka shkruar Hargreaves në Facebook.
Ai gjithashtu ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin në zbatimin e këtij ligji dhe për koordinimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Ne mirëpresim angazhimin e Kryeministrit Kurti për të zbatuar ligjin dhe planet e tjera të ardhshme që ndikojnë në komunitetin serb të Kosovës në koordinim të ngushtë me BE-në dhe komunitetin”, ka shtuar ambasadori britanik.
Ndërkohë, kryeministri Kurti, pas një takimi me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës do të sigurojë listat e stafit akademik dhe shëndetësor për t’u dhënë leje të përkohshme qëndrimi 12-mujore pjesëtarëve të komunitetit serb.
Sipas tij, e njëjta procedurë do të zbatohet edhe për studentët e huaj që studiojnë në Kosovë.


