
Aleatët e Ukrainës në G20 kërkojnë rishikimin e planit amerikan të paqes
Aleatët kryesorë të Ukrainës do të përpiqen të forcojnë planin e propozuar nga Shtëpia e Bardhë për t’i dhënë fund luftës me Rusinë gjatë samitit të G20-s në Afrikën e Jugut, deklaroi kryeministri britanik, Sir Keir Starmer. Nisma vjen në një moment presioni të shtuar mbi Kievin, pas rrjedhjes së detajeve të planit, të cilat shihen gjerësisht si të favorshme për Moskën.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi të enjten se vendi i tij po kalon “një nga momentet më të vështira në historinë tonë”, ndërsa aleatët – përfshirë Britaninë, Francën dhe Gjermaninë – i siguruan atij mbështetje të plotë për arritjen e një “paqeje të qëndrueshme”.
Plani amerikan thuhet se përfshin koncesione që Ukraina i ka kundërshtuar më parë, përfshirë dorëheqjen nga zonat lindore të pushtuara nga Rusia, zvogëlimin e ushtrisë dhe një zotim për të mos iu bashkuar NATO-s. Administrata amerikane ka ushtruar presion të drejtpërdrejtë ndaj Kievit, madje ka dërguar zyrtarë të lartë të Pentagonit për bisedime këtë javë citon BBC.
Në Europë janë shfaqur shqetësime serioze. Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e përshkroi pranimin e planit si “shumë të rrezikshëm”, duke theksuar se Rusia nuk ka asnjë të drejtë të kërkojë lëshime nga një vend që ka pushtuar.
Ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe ai rus, Vladimir Putin, nuk do të marrin pjesë në samitin e G20, Trump vazhdoi presionin publik, duke paralajmëruar se Ukraina rrezikon të humbasë më shumë territor dhe se Zelensky “do të duhet ta pranojë” planin. Ai madje i vendosi Kievit afat deri në Ditën e Falënderimeve për të dhënë përgjigjen përfundimtare.
Në prag të samitit, Sir Keir Starmer theksoi se aleatët do të diskutojnë se si propozimi amerikan mund të rishikohet dhe forcohet, në mënyrë që të sigurohet një marrëveshje paqeje që është “e drejtë, e qëndrueshme dhe në përputhje me sovranitetin ukrainas”. /rtsh/


