Aktakuzë ndaj gjashtë personave për fajde: Përfituan 1.4 milion euro, 21 banesa e lokale afariste

Aktakuzë ndaj gjashtë personave për fajde: Përfituan 1.4 milion euro, 21 banesa e lokale afariste

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohet se, veç e veç, morën fajde, që në total arrin vlerën e 1.4 milion eurove.

Autoritetet kanë kërkuar që të bëhet konfiskimi dhe kthimi i 21 banesave dhe lokaleve afariste, që u ishin dhënë të akuzuarve nga të dëmtuarit, pasi ata nuk mund t’ua kthenin borxhin.

Aktakuzë për fajde është ngritur ndaj L.M., B.K., L.A., Xh.K., D.G., dhe K.K., ndërkaq L.M., dhe Xh.K. po ashtu dyshohen për mbajtje në pronësi të paautorizuar të armëve, ndërkaq ndaj D.G. rëndon edhe akuza e detyrimit.

Prokuroria e Prizrenit ka dhënë detaje për secilin rast. Sipas aktakuzës, L.M., i ka dhënë borxh të dëmtuarit M.K. në vlerë prej 20 mijë eurosh me kamatë prej 10 për qind. I dëmtuari nuk ka mundur që t’ia kthejë paratë dhe është detyruar që t’ia japë një banesë prej 123.8 metra katrorë në vlerë prej 70 mijë eurosh. Më 2020, sipas aktakuzës, i pandehuri merr edhe 10 mijë euro të tjera me kamatë mujore prej 10 për qind, ku borxhi arrin në 14 mijë euro.

“Për shkak të pamundësisë për kthimin e borxhit, i dëmtuari detyrohet t’i japë edhe një banesë tjetër në fshatin Shirokë me sipërfaqe 80 metra katrorë dhe vlerë tregu 52 mijë euro. Gjithsej, nga kamatat dhe borxhet e grumbulluara, i dëmtuari ka paguar rreth 92 mijë euro dëm përkatësisht humbje në shkallë të madhe”, u tha në njoftim.

Gjatë kontrolleve në shtëpinë e L.M. në Korishë të Prizrenit, autoritetet kanë gjetur 51 fishekë, që ai i mbante pa leje.

Share This