
Abelard Tahiri pas bisedës me Hashim Thaçin: Nesër zëri i shqiptarëve do të dëgjohet fuqishëm në Shkup
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po mbahet në Hagë. Tahiri e cilësoi këtë komunikim si një moment gjithmonë emocional.
Ai tha se gjatë bisedës e ka informuar Thaçin për tubimin e madh të nesërm në Shkup, ku pritet që qytetarët shqiptarë të kërkojnë drejtësi dhe liri për ish-krerët e UÇK-së.
“Gjithmonë emocionuese me bisedu me Presidentin Thaçi. Në bisedën telefonike që pata sot me të, e njoftova se nesër zëri i shqiptarëve do të dëgjohet fuqishëm në Shkup, sepse kur kërkohet drejtësi, nuk ka kufij,” shkroi Tahiri.
Ai shtoi se kërkesa për drejtësi dhe liri është një thirrje për ata që, sipas tij, i dhanë liri Kosovës dhe dinjitet popullit shqiptar. Sipas Tahirit, kjo kauzë bashkon shqiptarët kudo që jetojnë.
Mesazhi i Tahirit vjen në prag të tubimit të paralajmëruar në Shkup, i cili synon të shprehë solidaritet dhe mbështetje për ish-krerët e UÇK-së dhe përpjekjet e tyre për drejtësi para Gjykatës Speciale.


