
Abdixhiku nga Podujeva: Llapi është vet historia e popullit të Kosovës
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubim elektoral në Podujevë, nga ku ka theksuar rolin historik dhe kontributin e trevës së Llapit në ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Abdixhiku ka deklaruar se Llapi përfaqëson vetë historinë e popullit të Kosovës, duke theksuar se kjo trevë ka kuptuar herët se shteti nuk ndërtohet me sharje, por me mençuri, organizim dhe përgjegjësi.
“Llapi ka nxjerrë breza mësuesish, intelektualësh dhe profesionistësh që i kanë shërbyer gjithë vendit. Llapi e ka kuptuar herët se liria dhe shteti nuk ndërtohen me ankesa e sharje, por me mençuri, me organizim dhe me përgjegjësi. Diku me mend, diku me pushkë, Llapi është vet historia e popullit të Kosovës,” ka deklaruar Abdixhiku.
Ai shtoi se Llapi është trevë e punës, e sakrificës dhe e qëndrueshmërisë, vlera që sipas tij janë në thelb të filozofisë politike të LDK-së.
Në fund të fjalës së tij, Abdixhiku theksoi se këto vlera do të udhëheqin edhe qeverisjen e ardhshme, duke premtuar angazhim për zhvillim, stabilitet dhe ndërtim të shtetit me përgjegjësi dhe vizion afatgjatë.


