Katari shkruan historinë në Botërorin 2026, barazon ndaj Zvicrës në sekondat e fundit

Katari shkruan historinë në Botërorin 2026, barazon ndaj Zvicrës në sekondat e fundit

Katari ka siguruar pikën e parë në historinë e tij në fazën finale të Kupës së Botës, pasi barazoi 1-1 ndaj Zvicrës në ndeshjen hapëse të Grupit D në Botërorin 2026.

Skuadra e drejtuar nga Julen Lopetegui arriti të shmangë humbjen falë një goli dramatik të kapitenit Boualem Khoukhi në minutën e 94-të, duke shkaktuar festë të madhe te tifozët e saj.

Ndeshja nisi me një rast të artë për Katarin, kur Edmilson Junior përfitoi nga një gabim i Manuel Akanjit, por nuk arriti të mposhtte portierin Gregor Kobel. Zvicra reagoi shpejt dhe mori kontrollin e lojës, duke kaluar në epërsi në minutën e 17-të.

Pas një ndërhyrjeje të portierit Mahmoud Abunada ndaj Remo Freulerit brenda zonës, gjyqtari akordoi penallti, të cilën Breel Embolo e shndërroi në gol për 1-0. Ky ishte goli i 25-të i sulmuesit me fanellën e kombëtares zvicerane.

Zvicra vazhdoi të krijonte raste të shumta, me Dan Ndoyen dhe Michel Aebischerin që iu afruan golit të dytë, ndërsa në anën tjetër Edmilson Junior mbeti kërcënimi kryesor i Katarit.

Edhe në pjesën e dytë helvetikët dominuan posedimin dhe rastet, por nuk arritën të vulosnin fitoren. Granit Xhaka goditi mbi portë nga distanca, ndërsa Abunada bëri disa pritje vendimtare për ta mbajtur ekipin e tij në lojë.

Kur gjithçka dukej e mbyllur në favor të Zvicrës, Katari goditi në çastet e fundit. Në minutën e 94-të, kapiteni Boualem Khoukhi u shkëput në shtyllën e dytë dhe dërgoi topin në rrjetë me kokë pas një krosimi të Homan Al Amin, duke vulosur barazimin 1-1.

Me këtë rezultat, Katari fiton pikën e parë ndonjëherë në një Kupë Bote, ndërsa Zvicra mbetet me pengun e dy pikëve të humbura pas dominimit gjatë pjesës më të madhe të takimit.

Share This