
Abdixhiku: Gabim trashanik vota e PDK-së e AAK-së pro Dimal Bashës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kritikuar PDK-në e AAK-në që i dhanë votë Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit, duke e quajtur gabim trashanik të tyre. Ai tha se LDK-ja dallon sa i përket respektimit të Kushtetutës e përmbajtjes së njerëzve që besojnë se duhet t’i prijnë institucioneve.
“E ky dallim kristal i qartë u kurorëzua me triumf të injorancës, triumf të zërit përçarës dhe ndarës e jo të dinjitetshëm për këtë institucion të Kuvendit, por shpresoj që votuesit e partisë së parë sot ndihen të përfaqësuar nga atë që kanë marrë nga partia e parë. E ndiej si gabim trashanik po ashtu votën e dy partive tjera të ish-opozitës të PDK-së e AAK-së që institucioneve të Kosovës t’i japin një emër të tillë. Gjithsesi ky është vullnet i 73 deputetëve shumicë, LDK e respekton këtë vullnet, por nuk mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione”, tha Abdixhiku, pas ndërprerjes së seancës së sotme meqë nuk u arrit të zgjidhej nënkryetari i Kuvendit nga komuniteti serb, pa të cilin nënkryetar nuk mund të konsiderohet i konstituuar Kuvendi i Kosovës.
Abdixhiku beson se do të ketë një tjetër krizë që duhet interpretim nga Kushtetuesja.
“Besoj se do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave, në radhë të parë pakicave serbe dhe duhet të ketë qartësi sa i përket të drejtës për propozim në këtë drejtim. Ajo që është fatkeqe është që Kosova të mos mbetet me institucionet e veta peng i vullnetit të Beogradit. Mendoni nesër një situatë kur Lista Serbe nuk propozon fare emër e më pas i gjithë institucioni mbetet i bllokuar e këtë praktikë nuk guxojmë ta lejojmë e besojmë që këtu ka ndodhur një lëshim i madh politik nga kryetari i ri e nga partia e parë”, deklaroi Abdixhiku.
Ai tregoi pse LDK nuk u bë pjesë e votimit.
“Ne nuk marrim pjesë në procese që nuk i konsiderojmë kushtetuese në radhë të parë e për këtë arsye mbajmë qëndrim parimor”, shtoi ai.
Tha se vota e tyre kundër kryetarit të ri nuk është vetëm deklarative, por përmbajtjesore.
“Ne nuk mund të votojmë pro dikujt që nuk besojmë që përfaqëson denjësisht institucionet e Republikës së Kosovës. E ky është roli i një partie politike që dëshiron të emancipojë jo vetëm skenën e tanishme në Kosovë. Nga Idriz Ajeti në Dimal Bashën është një regres që LDK nuk mund ta votojë për. Shpresoj që partitë tjera e kanë llogaritur mbarë e mirë këtë drejtim dhe i uroj sukses në përfaqësimin e tyre dhe mbi të gjitha dua të ju flas votuesve që kanë votuar për ndryshim të pyesin veten a është ky ndryshimi për të cilin kanë votuar”, tha Abdixhiku. /rtk/


