“E errët asht nata” ekspozita e artistit Mehmet Behluli, vjen si një poezi unive

“E errët asht nata” ekspozita e artistit Mehmet Behluli, vjen si një poezi unive

Teshat e vendosura në muri, pëlhura të palosura në karrige, piktura që simobolizojnë vet jetën dhe lulet e thata në tokë dhe në vepra, janë objekte që mbajnë historinë e kujtimet e veta, të punuara me një minimalizëm, që i ofrojnë publikut komunikimin mbi atë se çka bartin në vete veprat.

E gjithë kjo mban një titull “e errët asht nata“, që është ekspozita personale e artistit Mehmet Behluli, ku ndërthuren dashuria, dhimbja dhe shpresa. Pjesa qendrore e ekspozitës fokusohet te vepra që është punuar me pëlhurat e nënës së Mehmet Behlulit, e cila ka qenë rrobaqepëse.

Kjo vepër vjen si një monument për gratë tona. Artisti Mehmet Behluli u shpreh se “jam rrit me materialet e nanës, i kam bartë gjithmonë me vete gjatë karrierës sime, sepse ato shprehin ndjenja, dhimbje dhe pasi ajo ka ndërruar jetë, pëlhurat e papërfunduara i kam marr dhe kam vendosë t’i kthej në vepra arti”.

Dashuria për vendin, për shtëpinë, për nanën, për një Kosovë që ende po pret të bëhet më e mirë sesa që është, shpalosen në veprat e artistit Mehmet Behluli, ku gjithmonë ndjehet dashuria dhe dhimbja e shtresuar me vite.

Si një poezi më universale vjen edhe titulli i ekspozitës “e errët asht nata”, e hapur në Galeri Qahili në Prishtinë, që njëherësh shpalos frymëzimin muzikor që artisti e ka përzgjedhur.

Kuratori i ekspozitës Dren Maliqi, duke treguar për sfidat, përvojën dhe njohjen me artistin Mehmet Behluli, tha se “sado që e kaluara dhe e tashmja jonë është e hidhur, në veprat e Mehmetit ekziston shpresa për të ardhmen”.

Tri dekada më vonë, artisti Behluli e rikthen një referencë përmes pikturës “Post Post Guernica”, të cilën e vazhdon si një dialog që e ka filluar në vitin 1995, kur referenca e Pikasos ka shërbyer si mënyrë për të fuqizuar vuajtjen e situatës në Kosovë, atë kohë. Kjo dëshmi vjen si një shpresë që ende pret të plotësohet. /rtk/

Share This