
Uran Ismaili prezanton planin për rrugë më të sigurta në Prishtinë dhe për 200 oficerë të sigurisë në shkolla e lagje
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ka prezantuar njërën nga pesë zgjidhjet kryesore të programit të tij për kryeqytetin, me fokus në sigurinë publike dhe përmirësimin e infrastrukturës urbane.
Plani i Ismailit përfshin:
- Ndriçim shtesë në mbi 1,000 rrugë të qytetit.
- Instalimin e 14,000 llambave inteligjente LED.
- Trajtim human për 5,000 qen endacakë.
- Ndërtimin e 450 kilometrave trotuare të reja.
- Riparimin dhe zgjerimin e trotuareve në të paktën 100 rrugë ekzistuese.
- Angazhimin e 200 oficerëve të sigurisë, të cilët do të jenë të pranishëm nëpër shkolla dhe lagje të Prishtinës.
“Një kryeqytet në errësirë nuk i shërben askujt. Do ta kthejmë sigurinë në qytet 24/7 me 1,000 rrugë shtesë me ndriçim, 450 km trotuare të reja, 5,000 qen endacakë të trajtuar në mënyrë humane dhe 200 oficerë të trajnuar të sigurisë nëpër shkolla,” ka deklaruar Ismaili përmes një postimi në rrjete sociale.
Ky zotim është pjesë e platformës së tij “Koha për Prishtinën”, e cila synon të sjellë, sipas tij, ndryshime konkrete dhe të prekshme për qytetarët e kryeqytetit.


