Avdullah Hoti kritikon Kurtin: “Ky nuk është kryeministri që i duhet Kosovës”

Avdullah Hoti kritikon Kurtin: “Ky nuk është kryeministri që i duhet Kosovës”

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka reaguar pas paraqitjes së kryeministrit Albin Kurti sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku është mbajtur seanca ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit. Dy të pandehurit akuzohen nga Prokuroria se më 30 gusht 2023 e kanë kërcënuar Kurtin përmes rrjeteve sociale.

Hoti tha se Kurti paraqitet pa asnjë problem në seanca ku shfaqet si viktimë, por nuk e bën të njëjtën kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në raste të dyshuara korruptive.

“Zyrën e Kryeministrit e mban në mënyrë joligjore. Për këtë ekziston aktgjykimi i Gjykatës Supreme, e cila qartësisht konstaton se anëtarët e Qeverisë në detyrë që mbajnë njëkohësisht edhe pozitën e deputetit janë në shkelje ligjore. Kur ftohet nga organet e drejtësisë për të dëshmuar në një rast të dyshuar korruptiv, ai nuk paraqitet. Në vend të kësaj, i fyen dhe i përçmon zyrtarët e drejtësisë, duke e diskredituar shtetin në sytë e qytetarëve dhe të aleatëve. Por, kur organet e drejtësisë e thërrasin për një rast të dyshuar kërcënimi ndaj tij, ai paraqitet aty pa asnjë problem, duke u viktimizuar. Ky nuk është Kryeministri që i duhet Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Share This