
Blerta Deliu: Qeveria në detyrë po i ikë përgjegjësisë për pagat e RTK-së
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar ashpër qeverinë në detyrë, duke e akuzuar se po tenton t’i ikë përgjegjësisë në rastin e mos-ekzekutimit të pagave të punëtorëve të RTK-së.
Në një reagim në Facebook, Deliu-Kodra ka theksuar se është e pakuptueshme që e njëjta qeveri, e cila ka ndarë mbi 27 milionë euro për studentët dhe ka rritur përfitimet sociale në prag të zgjedhjeve, tani po pretendon se nuk ka bazë ligjore për të ekzekutuar pagat e transmetuesit publik.
“Është e pakuptueshme se si një Qeveri në detyrë, gjen hapësirë ligjore për të ndarë mbi 27 milionë euro për studentët, për të rritur përfitimet për kategori sociale, pikërisht në prag të zgjedhjeve, e njëkohësisht deklaron se nuk ka bazë ligjore për të ekzekutuar pagat e punëtorëve të RTK-së,” ka shkruar ajo.
Deputetja e PDK-së shton se ekziston precedent institucional kur, në rrethana të ngjashme, buxheti për RTK-në ishte alokuar edhe pa Kuvend funksional, duke theksuar se ky rast dëshmon mundësinë ligjore për veprim.
Në fund, Deliu-Kodra ka vlerësuar se justifikimi për mungesën e komisionit parlamentar funksional është vetëm përpjekje për të shpërndarë fajësinë dhe shmangur përgjegjësinë.


