Mot me reshje shiu dhe erëra të forta në Shqipëri

Mot me reshje shiu dhe erëra të forta në Shqipëri

Autoritetet në Shqipëri kanë lëshuar paralajmërime të shumta për qytetarët, duke i bërë thirrje të marrin masa paraprake për shkak të përkeqësimit të motit gjatë fundjavës. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, nga 29 gushti deri më 2 shtator priten reshje shiu me intensitet të lartë dhe erëra të forta.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, ka bërë një apel publik për qytetarët që të evitojnë lëvizjet e panevojshme, sidomos në zonat me rrezik përmbytjeje. Ajo garantoi se strukturat e Bashkisë dhe Emergjencat Civile janë në gatishmëri të shtuar për të menaxhuar situatën.

Edhe Policia e Shtetit i bashkohet kësaj thirrjeje, duke apeluar për kujdes maksimal në rrugë. Për shkak të reshjeve të shiut, Policia Rrugore kërkon nga drejtuesit e mjeteve të reduktojnë shpejtësinë, të shmangin drejtimin nën efektin e alkoolit, dhe të përdorin rripin e sigurimit. Për drejtuesit e motomjeteve, biçikletave dhe monopatinave, theksohet rëndësia e përdorimit të jelekëve fosforeshentë dhe kaskës mbrojtëse.

Ndalohet lundrimi në det në Sarandë

Nga ana tjetër, Kapiteneria e Portit të Sarandës ka ndaluar daljen në det të të gjitha mjeteve lundruese, përfshirë ato turistike, peshkarexhat dhe skafet e vogla. Ndalimi, që hyn në fuqi nga 30 gushti, ora 06:00, do të jetë në fuqi derisa kushtet atmosferike të përmirësohen. Kapiteneria paralajmëron se mosrespektimi i këtij urdhri përbën shkelje ligjore dhe do të ndëshkohet.

Autoritetet bëjnë me dije se në rast nevoje, qytetarët mund të kontaktojnë në numrat e emergjencës: 112 (Emergjencat Civile), 127 (Urgjenca Mjekësore) dhe 128 (Policia). /rtsh/

Share This