Lavrov: Siguria kolektive s’mund të arrihet pa Rusinë

Lavrov: Siguria kolektive s’mund të arrihet pa Rusinë

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi se Shtetet e Bashkuara po e kuptojnë gjithnjë e më shumë nevojën për të eliminuar rrënjët e krizës në Ukrainë.

Lavrov theksoi se Rusia është e përkushtuar të sigurojë që garancitë evropiane të sigurisë për Ukrainën të jenë realisht të besueshme. Nga ana tjetër, ai nënvizoi se Moska nuk mund të pranojë zgjidhjen e çështjeve të sigurisë kolektive pa përfshirjen e saj.

Udhëheqësit ushtarakë të NATO-s ranë dakord gjatë një konference online se përparësia e Aleancës mbetet arritja e një “paqjeje të drejtë, të besueshme dhe të qëndrueshme” në Ukrainë, shkroi në platformën X admirali Giuseppe Cavo Dragone, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, raporton rtk.

Sipas Reuters-it, pas videokonferencës, një grup më i vogël udhëheqësish ushtarakë vazhduan bisedimet në Uashington për të hartuar opsione konkrete për garanci sigurie për Ukrainën.

Disa vende evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe dhe Francën, janë të gatshme të dërgojnë qindra trupa në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje pas përfundimit të konfliktit, thanë burime të njohura me planin.

Sipas këtyre burimeve, në fazën e parë, ky kontingjent ushtarësh do të ofronte mbështetje për ushtrinë ukrainase përmes trajnimit dhe logjistikës, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të kontribuonin me ndihmë në fushën e inteligjencës, mbikëqyrjes kufitare dhe dërgesës së armëve.

Ndërkohë, zyra e prokurorit rajonal në pjesën e kontrolluar nga Kievi të Oblastit të Donetskut njoftoi se të paktën tre persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën nga një sulm rus në qytetin Kostantinovka.

Pretendohet se sulmet në zonën e banuar dhe në tregun lokal janë kryer me sistemin e raketave të shumëfishta “Smerch”.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat e Moskës kanë marrë nën kontroll Novogeorgievkën në rajonin e Dnipropetrovskut, si dhe Sukhetskën dhe Pankovkën në rajonin e Donetskut.

Share This