Haradinaj i bashkohet thirrjes për protestë kundër Speciales: Qëndrojmë në të drejtën e luftës

Haradinaj i bashkohet thirrjes për protestë kundër Speciales: Qëndrojmë në të drejtën e luftës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i është bashkuar thirrjes për protestë të organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kundër Gjykatës Speciale dhe procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj theksoi mbështetjen për protestën dhe legjitimitetin e kërkesave të organizatorëve.

“Në mbështetje të protestës së thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në kërkesat e tyre legjitime dhe të drejta. Qëndrojmë gjithmonë në të drejtën e luftës, në të drejtën e luftëtarëve dhe në të drejtën e popullit. Këto janë themelet mbi të cilat është ndërtuar liria jonë dhe që nuk lëkunden kurrë,” shkroi ai.

Protesta është paralajmëruar të mbahet më 7 gusht, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00, me moton: “Ngrihemi për drejtësi, për të vërtetën, për UÇK-në!”

Thirrja për protestë vjen pas vendimit të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë për të refuzuar mocionin e mbrojtjes që kërkonte heqjen e disa pjesëve të aktakuzës ndaj ish-liderëve të UÇK-së, që lidhen me pretendime për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Share This