
SHBA i bashkohet sulmeve të Izraelit, BE apel për vetëpërmbajtje. Kallas: Iranit s’duhet t’i lejohen armët bërthamore
Sulmet e SHBA-së mbi tre objekte bërthamore në Iran ka rritur tensionet në Lindjen e Mesme, duke bërë që liderët botëror të bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje dhe se konfliktet të zgjidhen në tryezën e bisedimeve. Edhe shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, ka bërë thirrje për qetësim të situatës dhe rikthim në diplomaci.
Teksa theksoi se Irani nuk duhet të zhvillojë armë bërthamore, Kallas u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ndalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm dhe të rikthehen në tryezën e negociatave.
“Iranit nuk duhet t’i lejohet të zhvillojë një armë bërthamore, pasi kjo do të përbënte një kërcënim për sigurinë ndërkombëtare. I bëj thirrje të gjitha palëve të tërhiqen, të kthehen në tryezën e negociatave dhe të parandalojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”, shkruan Kallas në një postim në X.
Kallas njoftoi gjithashtu se Ministrat e Jashtëm të BE-së do të diskutojnë situatën në një takim të posaçëm që do të mbahet më 23 qershor, në përpjekje për të përcaktuar një qëndrim të përbashkët dhe për të nxitur një zgjidhje paqësore.
Mëngjesin e kësaj të diele SHBA iu bashkua sulmeve të Izraelit duke goditur tre objektet bërthamore të Iranit, Fordow, Natanz dhe Isfahan. Pas sulmeve, presidenti amerikan Donald Trump tha se Irani duhet të bëjë paqe, pasi në të kundërt SHBA do të sulmojnë objektiva të tjerë. /rtsh/