
Enrique: Ligën e Kampionëve është arsyeja pse erdha te PSG-ja
Paris Saint-Germain është vetëm një hap larg realizimit të ëndrrës së tyre më të madhe, trofeut të Ligës së Kampionëve.
PSG dhe Inter do të ballafaqohen këtë të shtunë në Munich në finalen e madhe të elitës së futbollit evropian.
Enrique në një intervistë për “UEFA”, është shprehur i bindur se skuadra e tij, mund të shkruajë historinë të shtunën mbrëma.
“Ajo që më motivon më shumë është të bëj historinë me PSG-n. Kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu. Dua të fitoj me PSG-n Ligën e Kampionëve”, theksoi Enrique.
Strategu spanjoll këtë mision e krahason me triumfin historik të Spanjës në Kupën e Botës.
“E para është gjithmonë më e vështira, është si Botërori i parë për Spanjën. Dikush duhet të udhëheqë rrugën dhe të thotë, ‘Ne mund ta bëjmë këtë!’. Nëse e bëjmë ne, mund ta bëjnë edhe brezat e ardhshëm”, tha Enrique.
Enrique foli edhe për rrugëtimin dyvjeçar te PSG-ja dhe ndërtimin e një projekti të qëndrueshëm.
“Ndryshimi dhe evolucioni i ekipit janë evident. Objektivi ynë ishte të krijonim gradualisht diçka ndryshe, që tërheq lojtarët në Paris. Ne bëmë blerjet e duhura, besuam te profilet e lojtarëve si Willian Pacho, Joao Neves dhe Desire Doue. Të gjithë ndihmojnë njëri-tjetrin dhe më dhanë besim të plotë që nga dita e parë”, deklaroi Enrique.
PSG ka dominuar në Francë, duke fituar kampionatin, Kupën e Francës dhe Superkupën, por për Enriquen suksesi i vërtetë është Liga e Kampionëve.
“Fituam gjithçka në Francë, që është e mrekullueshme, por Liga e Kampionëve ka qenë prioriteti i klubit për një kohë të gjatë. Unë nuk jam dikush që planifikon të fitojë tituj pas tre ose katër vitesh. Kam ardhur që të fitojë tani,” përfundoi Enrique.