
Reali mohon interesimin për Olise: Nuk ka pasur kontakte me lojtarin
Real Madrid C.F. ka dalë me një deklaratë zyrtare duke hedhur poshtë raportimet e mediave që e lidhnin klubin spanjoll me një interes të mundshëm për sulmuesin e Bayern Munichut, Michael Olise.
Në reagimin e tij, klubi madrilen thekson se nuk ka pasur asnjë kontakt, qoftë direkt apo indirekt, me lojtarin francez, përfaqësuesit e tij apo me ndonjë person në rrethin e tij.
“Në përgjigje të raportimeve në media të ndryshme në lidhje me interesin e supozuar të klubit tonë për lojtarin e Bayernit të Mynihut, Michael Olise, Real Madrid C.F. dëshiron të sqarojë se nuk ka pasur asnjë kontakt, direkt ose indirekt, me lojtarin e lartpërmendur, përfaqësuesit e tij ose askënd në rrethin e tij”, thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, Real Madrid ka nënvizuar marrëdhëniet e shkëlqyera institucionale me Bayern Munich, duke theksuar historinë e gjatë të respektit, bashkëpunimit dhe admirimit të ndërsjellë mes dy klubeve evropiane.
Klubi spanjoll shpreh keqardhje për përhapjen e spekulimeve të pabaza në media, duke rikujtuar se çdo interesim i mundshëm për lojtarët duhet të trajtohet drejtpërdrejt mes klubeve, në përputhje me parimet e respektit dhe korrektësisë institucionale që kanë karakterizuar marrëdhënien mes Real Madrid dhe Bayern Munich ndër vite.

