Propozimi i LDK-së për qeveri të tranzicionit, Krasniqi: E diskutojmë nesër në Kryesi

Propozimi i LDK-së për qeveri të tranzicionit, Krasniqi: E diskutojmë nesër në Kryesi

Propozimin e LDK-së për krijimin një qeverie unifikuese, që përfshinë në Qeveri tranzicioni të gjitha partitë shqiptare, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, vitin që vjen, Partia Demokratike e Kosovës do ta diskutojë nesër në Kryesi, ka konfirmuar kreu i PDK-së, Memli Krasniqi për Reporteri.net.

Krasniqi ka deklaruar se nesër do të diskutojnë për të gjitha zhvillimet politike dhe hapat tutje. Ai tha se është informuar mbi këtë propozim dhe se vendimet për propozime të tilla merren në organet e partisë.

”Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë. Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndryshe, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar sot ftesën e kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për koalicion.

Abdixhiku ka dalë me një propozim të ri, për krijimin e një qeverie siç tha ai unifikuese, që përfshinë në Qeveri tranzicioni të gjitha partitë shqiptare, deri në zgjedhjen e Presidentit të ri, vitin që vjen.

Për këtë propozim, Abdixhiku tha se është i gatshëm të takohet me të gjitha partitë shqiptare, përfshirë edhe VV’në. AAK e ka pranuar propozimin e Abdixhikut për takim.

“Zgjidhjen nga kjo bllokadë e konsideron si të doemosdoshme. Propozoijmë nisjen e një procesi të ri politk. […] LDK propozon nisjen e këtij procesi, fillimisht konsultativ me të gjitha partitë shqiptare, me qellim fillimin e një qeverie nacionale të tranzicionit, një qeveri me afat të caktuar, deri në zgjidhjen e Presidentit”, u tha Abdixhiku sot gazetarëve pas takimit me kryesinë e LDK-së.

Share This