
Kërcinimi i SHBA për largim nga marrëveshja e paqes Rusi-Ukrainë, reagon Kremlini
Pak pas paralajmërimit të bërë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio se SHBA do të largohej nga përpjekjet për ndërmjetësimin e një marrëveshjeje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë, ka ardhur dhe reagimi i Kremlinit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka deklaruar se përparimi tashmë është bërë dhe se Rusia mbetet e përkushtuar në zgjidhjen e konfliktit me Ukrainën.
“Kontaktet janë mjaft të ndërlikuara, sepse, natyrisht, tema nuk është e lehtë. Rusia është e përkushtuar për zgjidhjen e këtij konflikti, duke siguruar interesat e veta dhe është e hapur për dialog. Ne vazhdojmë ta bëjmë këtë”, deklaroi Peskov.
Peskov tha gjithashtu se nuk ka thirrje për paqe nga Evropa, të cilën ai e akuzoi se fliste vetëm për militarizimin, duke komentuar bisedimet në Paris këtë javë.
Zëdhënësi i Putinit përmendi gjithashtu angazhimin publik të Rusisë për një armëpushim energjetik si dëshmi të përparimit.
“Kontaktet mes Putinit dhe Trump nuk janë planifikuar për këtë javë, por nëse është e nevojshme, një bisedë mund të organizohet shpejt“, shtoi Peskov.
Pak orë më parë, Rubio deklaroi se nuk ishte bërë përparim i mjaftueshëm dhe se duhet të ketë hapa pozitivë në ditët në vijim ose përndryshe Shtëpia e Bardhë do të “vazhdojë” drejt prioriteteve të tjera globale. /rtsh/