
Izraeli: Sulmet e reja në Gaza mund të ndihmojnë në rifillimin e negociatave
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar i sheh sulmet e ripërtërira izraelite ndaj objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës si një mënyrë për të detyruar rifillimin e bisedimeve të ngecura për një zgjatje të një marrëveshjeje armëpushimi.
Sipas Saar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff së fundmi bëri dy propozime për zgjatjen e armëpushimit dhe shkëmbimin e pengjeve/të burgosurve, të cilat grupi islamik palestinez Hamasi i hodhi poshtë.
“Palët kanë qenë në një ngërç në negociata për dy javë e gjysmë. Nëse do të kishim pritur më shumë, situata nuk do të kishte ndryshuar”, tha Saar.
“Pas sulmit terrorist të udhëhequr nga Hamasi në Izrael më 7 tetor 2023, vetëm vendosja e trupave tokësore nga shteti hebre kishte sjellë një marrëveshje eventuale për lirimin e pengjeve”, tha ministri i jashtëm izraelit.
Hamasi hodhi poshtë planin Witkoff sepse dëshiron zbatimin e menjëhershëm të një faze të dytë të marrëveshjes së Gazës, e cila parashikon përfundimin e luftës dhe tërheqjen e trupave izraelite.
Kjo duhej të fillonte në fillim të marsit. Të paktën 413 persona u vranë apo u zhdukën nga sulmet që Izraeli ka kryer në Rripin e Gazës në pesë orët e fundit, pas shkeljes së armëpushimit.
Në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e Qeverisë në Gaza thuhet se Izraeli vazhdon të kryejë gjenocid ndaj civilëve, duke shpërfillur marrëveshjen e armëpushimit në Gaza dhe duke shkelur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe humanitare. /atsh/