Malisheva s’gabon ndaj Ferizajt

Malisheva s’gabon ndaj Ferizajt

Malisheva ka arkëtuar tri pikë të rëndësishme në garën për pjesën e epërme të tabelës, duke mundur Ferizajn me rezultat 3-2, të martën, në kuadër të javës së 20-të të elitës së futbollit tonë.

Dueli mes Malishevës dhe Ferizajt ka prodhuar një sfidë interesante, me raste të shumta dhe pesë gola të realizuar. Dren Kryeziu (3’) zhbllokoi lojën, duke kaluar në epërsi skuadrën nikoqire me rezultatin 1-0. Por, Çlirim Avdyi (27’) riktheu në lojë skuadrën mike, duke barazuar shifrat në 1-1, rezultat me të cilin edhe u mbyll pjesa e parë.

Golat nuk munguan as në fraksionin e dytë të kësaj sfide. Malisheva shënoi edhe dy gola përmes Laurant Xhylanit (50’) dhe Drilon Hazrollajt (67’), duke e çuar rezultatin në 3-1. Ndërkohë, golin e dytë për Ferizajn e realizoi Erion Sadriu (78’), duke ngushtuar shifrat në 3-2.

Pas kësaj fitoreje, Malisheva ka 33 pikë dhe renditet në vendin e tretë, ndërsa Ferizaj mban pozitën e tetë me 23 pikë.

Share This